Guri shkon në Belgjikë tek Ostende

schedule11:54 - 16 Maj, 2018

schedule 11:54 - 16 Maj, 2018

Sidrit Guri është transferimi i radhës i lojtarëve të Superligës jashtë vendit. Kukësi e Skënderbeu pritet të fitojnë të paktën 2 milionë euro nga shitja e futbollistëve deri në verë.

Ishte perla e këtij viti në Shqipëri, por nuk do të jetë më.

Sidrit Guri do të luajë në Belgjikë sezonin e ardhshëm, pikërisht me klubin e elitës, Ostende.

Kukësi lajmëroi me një njoftim zyrtar transferimin që besohet të ketë sjellë në arkat klubit 710 000 euro.

Edhe klubi i Ostendes zyrtarizoi përforcimin më të ri, me trajnerin Bros që bëri vlerësime të larta për sulmuesin shqiptar.

Mediat belge nuk harruan të theksonin se Guri është shënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar me 20 gola, duke shkëlqyer sidomos në fazën e dytë.

Shkodrani 24-vjeçar ka meritë të madhe në kthesën e lojërave dhe të rezultateve të skuadrës së drejtuar nga trajneri Peter Pakult, që nga Janari, duke siguruar vendin e dytë, pjesëmarrjen në Europë dhe duke shpresuar për Championsin.

Për Kukësin, ky ishte transferimi i dytë për vitin 2018, pasi Elis Bakaj shkoi tek Shahtjor i Soligorskit në Bjellorusi, duke i sjellë Presidentit Gjici 120 000 euro fitim.

Ky duket se do të jetë një sezon shumë pozitiv për klubet shqiptare lidhur me shitjet e lojtarëve, pasi Skënderbeu ka realizuar ndërkaq kalimin e Kristal Abazajt në Belgjikë tek Anderlehti.

Korçarët pritet të kryejnë shitjen e radhës, atë të Devi Bregut, që luan ende tek Luftëtari ashtu si Abazaj, dhe që me shumë gjasa do të luajë jashtë Shqipërisë edicionin e ardhshëm.

Në total, Kukësi e Skënderbeu, mendohet se do të fitojnë mbi 2 milionë euro, vetëm nga këto transferime, ndërsa pritet të ketë edhe të tjera./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!