Gledi Mici zyrtarisht është pjesë e Prishtinës. Në Superiore fillimisht u lakua si objektiv i Tiranës dhe më pas u raportua edhe për akord me Partizanin, por në fund ai ka nënshkruar në Kosova me bardhekaltrit. Mbrojtësi i majtë dëshironte shumë të luante në një kampionat më të fortë, por në fund është “joshur” nga propozimi i Prishtinës dhe ka firmosur.
NJOFTIMI DHE DEKLARATA – Ish-futbollisti i Kamzës (2009-2012), Flamurtarit të Vlorës (2012-2014), Kukësit (2015/16), Skënderbeut (2016-2018) dhe së fundi Shkëndijës nga Tetova (2018-2020), i bashkëngjitet fanellës bardhekaltër nga Prishtina.
Mici, 29 vjeç, i lindur më 06.02.1991 në Tiranë, ka qenë ish-reprezentues i kategorive U17 dhe U21 të Shqipërisë dhe me gjithë ofertat e shumta anekënd Kosovës dhe Shqipërisë, ai vendosi për klubin e Prishtinës.
“Është e vërtetë që kam pasur oferta, por isha i fokusuar diku në Turqi apo Greqi. Gjithsesi tani gjithçka ka përfunduar dhe jam pjesë e Prishtinës, duke pasur tërë fokusin në suksesin në ambientin e ri. Aq sa di, Prishtina është vetë futbolli i Kosovës, emri më i madh në vend, por me titullin e munguar dhe unë dua të provoj këtë sfidë të re, të sjelli suksesin ndaj ambicieve të klubit.
Pres që të jap maksimumin dhe karshi kësaj në fund të sjellim titullin. Në Prishtinë kam gjetur bashkëlojtarët e dikurshëm te Skënderbeu, Abazin, Lilajn dhe patjetër që do të ndihem dhe komod, si në shtëpinë time”, është shprehur Mici për faqen zyrtare të Prishtinës. /abcnews.al