“Do marrim edhe 2-3 lojtarë”, u shpreh para pak ditësh Safet Gjici, presidenti i Kukësit që mban edhe rolin e kryebashkiakut. Numri një i klubit verilindor nuk kursehet dhe tashmë për trajnerin Skënder Gega është gati dhurata e madhe.
Abcnews.al mëson se drejtuesit e klubit verilindor kanë arritur marrëveshjen me mbrojtësin Besir Demiri, i cili disa kohë më parë la Maqedoninë e Veriut dhe zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë. Anësori i majtë këtë verë ishte kontaktuar edhe nga Partizani, por bllokimi i merkatos ishte ngërçi kryesor.
Kukësi ka nxituar së fundmi dhe e ka bindur Demirin me ofertën e bërë. 26-vjeccari ka qenë një nga lojtarët më të mirë në Maqedoninë e Veriut kur luante me Shkëndijën e Tetovës, ndërkohë që spikati edhe te Vardari.
Në janar të vitit 2018 ai kaloi në Ukrainë te Mariupol. Aty u aktivizua për 18 muaj dhe më pas provoi edhe një eksperiencë në Sllovaki me Zilina, skuadër me të cilin luajti në 21 ndeshje dhe shënoi dy gola. Tani Demiri bëhet gati për një eksperiencë të re në Superiore me Kukësin. / VLADIMIR PRENGA – abcnews.al