Sezoni i Juventusit ishte legjendar dhe lojtarët meritojnë lavdërime të mëdha. Kështu u shpreh trajneri Allegri pas fitores së titullit, por nga Napoli erdhën sërish akuzat e përhershme
Festa ishte e madhe, edhe pse sikur është bërë e mërzitshme.
Nuk i duket kështu lojtarëve të Juventusit, edhe pse fituan titullin e 7-të radhazi, si askush më parë në Itali.
Ata nuk u kursyen aspak, as në fushën e stadiumit “Olimpiko”, pas barazimit me Romën, dhe as në dhomën e zhveshjes.
Ishte fundi i një edicioni të gjatë dhe fantastik, në të cilin u pronësua edhe Kupa e Italisë, dhe ku për fare pak nuk u eleminua Reali i plotfuqishëm në Ligën e Kampionëve.
Trajneri Allegri, njeriu që ka fituar 4 tituj radhazi, po ashtu 4 kupa të Italisë, radhazi, nuk mund të thotë tjetër përveçse fjalë të mëdha për lojtarët e tij, në një garë të vështirë me Napolin deri në javët e fundit.
Massimiliano Allegri: “Duhet t’i bëjmë komplimente të mëdha Napolit për sezonin që zhvilloi, por duhet t’i bëjmë komplimente edhe më të mëdha Juventusit sepse mbylli një edicion legjendar. U arrit titulli i 7 radhazi, ndërsa në 4 vitet e fundit, u fituan 4 tituj, 4 Kupa të Italisë dhe u arritën 2 finale të Championsit. Thjesht, në respekt të djemve tanë, duhet të marrim vlerësime. Në fund të fundit, gjithë ato gjëra që kam dëgjuar këtë vit, do t’i marrë era”.
Gjithsesi, pavarësisht se duket se askush nuk mund të ketë vërejtje, nga Napoli, erdhën akuzat e zakonshme.
Trajneri napolitan, Maurizio Sarri, që arriti rekordin e pikëve në histori me 88 të tilla pas fitores ndaj Sampdorias, nuk u kursye as këtë herë.
Maurizio Sarri: “Keqardhja e vetme që kemi është që e humbëm titullin në hotel, dhe jo në fushë. Tek ne ndikoi për keq ndeshja Inter-Juventus për mënyrën sesi përfundoi. Më pyesni nëse titullin e fitoi skuadra më e fortë, dhe unë iu them se e fitoi skuadra me më shumë fuqi, në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Për fat të keq, duhet të jemi më të fortë psikologjikisht, por edhe liga e futbollit duhet të përmirësohet pasi në 16 ndeshjet e fundit kemi luajtur 14 herë pas Juventusit”.
Kur duhet edhe një javë deri në mbyllje të Serisë A, tek Juventusi është konfirmuar vazhdimësia e Alegrit në stol, po ashtu e yjeve si Dibala apo Higuain, ndërsa premtohet kthimi i Pjaca-s, por refuzohet Donaruma.
Nuk dihet nëse Juventusi do të ketë sërish rival sezonin e ardhshëm këtë Napoli, pasi e ardhmja e Maurizio Sarrit mbetet ende e paqartë.