Sikurse në të gjithë botën pandemia Covid-19 ka vënë në presion sektorin shëndetësor në vendin tonë dhe sidomos spitalet publike, mirëpo kjo situatë nuk ka pasur implikime financiare sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Në 6-mujorin e parë 2020 shpenzimet e përgjithshme për sektorin e shëndetësisë rezultuan në ulje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 83 milionë lekë ose -0.1%.
Sektori i shëndetësisë u përball këtë vit me presion të lartë për blerjen të pajisjeve dhe medikamenteve shtesë për trajtimin e të prekurve nga COVID-19, duke marrë edhe një financim shtese prej 4 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit për këtë vit.
Por të dhënat faktikë tregojnë se, shpenzimet për shëndetësinë jo vetëm që nuk janë rritur, por rezultojnë poshtë faktit të vitit të kaluar. Burimet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm sqarojnë se shkak për këtë situatë është bërë anulimi i kontratës koncesionare të check-up dhe pagesat më të ulëta për koncesionin e sterilizimit.
Kosto vjetore e koncesionit të sterilizimit është rreth 1,6 miliardë lekë, por këtë vit pagesa pritet të jetë më e ulët për shkak se numër i madh operacionesh jo emergjentë janë shtyrë prej pandemisë. Ndërsa koncesioni i check-up që ka një kosto vjetore 876 milionë lekë është pezulluar për të rinisur aktivitetin pasi pandemia të ketë kaluar.
Në 6-mujorin e parë 2020 funksionet e qeverisë që pësuan rritje të shpenzimeve ishin mbrojtja sociale me 14.8 % në raport me një vit më parë, si rrjedhojë e paketave të ndihmës, mbrojtja e mjedisit me 52%, rendi dhe siguria publike me 1.6%.
Nga ana tjetër shënuan ulje shërbimet e përgjithshme publike me -7.5%, mbrojtja me -11%, çështjet ekonomike me -6.4%, shërbimet e strehimit me -15%, argëtimi dhe kultura me 21%.
Pandemia Covid -19 zhbalancoi treguesit makroekonomikë dhe ato buxhetore. Të ardhurat kanë pësuar rënie vjetore ne rreth 12 për qind gjatë 7-mujorit, ndërsa deficiti buxhetor arriti në 8,4 % të PBB-së nga rreth 2 për qind që ishte në buxheti fillestar.
Rritja e deficitit buxhetor çon borxhin publik në nivelin 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të ardhurat buxhetore kundrejt planit fillestar të vitit 2020 si rrjedhojë e impaktit negativë të pandemisë Covid-19 do të reduktohen në masën -63.1 miliard lekë./marrë nga monitor/