Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se delegacioni i Kosovës në Shtëpinë e Bardhë në Uashington nuk ka fituar ato që duheshin nga negociatat me Serbinë.
Ai u shpreh se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe koordinatori nacional për dialog, Skënder Hyseni kishin më shumë komoditet se sa duhej, shkruan Gazeta Express.
Sipas tij ata kishin mundësi të shtonin presionin ndaj palës serbe kur Serbia kërkoi tërheqjen për pikën 10.
“Ka pasur edhe anëtarë të respektuar në delegacion. Por duhet të dimë se përvec zbutjes së gjuhës për Ujmanin nuk kemi fituar asgjë. Besoj se kur Serbia kërkoi tërheqjen për pikën 10 kemi mundur të shtojmë presionin drejt tyre. Kështu negociohet. Edhe përmendja e vetëm pikës së Merdares, është dashur të respektohet IBM. Kjo do të na bëhej më e lehtë po të përmendeshin të gjitha pikat. Hoti dhe Hyseni kanë shkuar me komoditet të tepruar.
“Por nuk dua të them se nuk fituam asgjë. Jemi më mirë se kemi qenë. Megjithatë, kjo do të ketë pasojë për brezat e ardhshëm. Isa Mustafa është dashur të jap udhëzime për Hotin. Ai ndoshta i ka thënë se pasi po shkon në Uashington është e udhës që mos të na prishë marrëdhëniet me miqtë tonë“, tha Haradinaj./m.v. abcnews.al

