VIDEO/ Anglia ia del mes drithërimave në Islandë, De Biasi i pafat në debutim

schedule19:58 - 5 Shtator, 2020

schedule 19:58 - 5 Shtator, 2020

Anglia vuajti shumë për të mposhtur Islandën, dhe iu fal një penalltie të shndërruar në gol në minutën e fundit nga ana e Rahem Sterling. Të dy kombëtaret e mbyllën me dhjetë lojtarët takimin e luajtur në Reykjavik.

Kyle Walker la miqtë me një lojtar më pak në minutën e 71-të (kartoni i dytë i verdhë), ndërsa Ingason shkaktoi penalltinë dhe u largua në minutën e fundit nga loja.

Minutat e fundit ishin drithëruese dhe plot emocione. Sulmuesi i Manchester City nuk gaboi nga pika e bardhë, teksa në minutën e tretë shtesë u akordua penallti për nordikët. Ekzekutimin e mori përsipër Birkir Bjarnason, por mesfushori e nxori topin jashtë.

ISLANDË-ANGLI

Një trepikësh i rëndësishëm për “Tre Luanët”, të cilët e nisin mirë edicionin e dytë të Nations League, aty ku kanë në grup edhe ekipet e Belgjikës e Danimarkës.

Gianni De Biasi e nisi me humbje aventurën në stolin e Azerbajxhanit. Trajneri italo-shqiptar nuk pati as fatin me vete, teksa skuadra e tij mbeti me një lojtar më pak që në minutën e 26-të (Emreli u largua me të kuqe) në duelin shtëpiak ndaj Luksemburgut.

Gjithsesi, vendasit gjetën forca dhe kaluan në avantazh dy minuta përpara mbylljes së 45 minutave të para. Ramil Sheydaev dërgoi topin në rrjetë, duke gëzuar De Biasin.

Pushimi i bëri mirë miqve, të cilët shkuan dy herë te goli në pjesën e dytë dhe u larguan me tre pikë nga Bakuja. Krivotsyuk shënoi autogol në minutën e 48-të, ndërsa Rodrigues ktheu në gol për Luksemburgun një penallti në minutën e 72-të.

MAQEDONIA E VERIUT-ARMENI

Në ndeshjet e tjera, Maqedonia e Veriut mposhti 2-1 në shtëpi Armeninë (shqiptari Alioski shënoi golin e parë), ndërsa Mali i Zi dhe Gjeorgjia siguruan fitore të rëndësishme jashtë fushe ndaj Qipros dhe Estonisë. /abcnews.al