Ish-prokurori i shkarkuar nga detyra ka shpërthyer në akuza dhe fyerje kohët e fundit kundrejt aktorëve politikë por edhe ndaj faktorit ndërkombëtar në Shqipëri.
Ai ka kërkuar që kolegët e tij të bojkotojnë procesin e rivlerësimit të gjyqësorit, i njohur ndryshe si Vettingu.
Dedaj thotë se derisa ligji për Vettingun të ndryshojë për t’u përmirësuar, të gjithë prokurorë e gjyqtarë duhet të braktisin detyrën.
“Ju bëj thirrje të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve të bojkotojnë procesin e rivlerësimit, vettingut. Mos u paraqisni para tyre, mos shkoni qysh nesër në punë, braktisni detyrën, derisa gjendja e ligjit të përmirësohet”, shkruan ai.
Më tej, ai nuk ka kursyer akuzat e tij, ndaj pyet SHBA-në, pse nuk futi në burg politikanët por e nisi reformën nga drejtësia.
“Amerikë kam një pyetje në emër të të gjithë shqiptarëve. Kur ndërmore reformën në drejtësi, që shumë shumë mirë bëre, dhe krijove SPAK, që shumë shumë mirë bëre, a kishe në plan të fusje në burg Sali Berishën, Fatos Nanon, Aleksander Meksin, Edi Ramën, Lulzim Bashën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin e gjithë ministrat kriminelë e të korruptuar të Shqipërisë!? A kishe ndermend dhe a ke dosje ti për ta?”, shkruan ish-prokurori në një status në facebook.
Në fakt po në faqen e tij në Facebook, ai ka njoftuar se është i infektuar me Covid, ndërsa ka postuar edhe recetat mjekësore që ka rekomanduar në rastin e tij, mjeku infeksionist.
“Mos e nënvleftësoni virusin,mos e merrni me të qeshur o njerëz. Unë jam nji ndër ta që u infektova dhe po kurohem kundër tij. Ky virus ka një veçori nuk e di me përqindje por disa e kalojnë krejt lehtë por disa të tjerë si unë përjetojnë vdekjen. Aq afër dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse krejt origjinale me tërë gravitetin e pompozitetin e saj sa paskëtaj po e marr me shumë prakticitet atë. Në rastin tim zonja vdekje më shpalosi krejt forcën e misteret e saj pra ishte e vetmja gjë me vlerë e këtij virusi nëse mund të quhet vlerë mbase dije e informacion do i shkonte ma për shtat. Një di gjë di tju them mua më rezultuan treguesit dhe analizat e organizmit krejt perfekte gjë shumë pozitive por një të metë,një organ të dobësuar po ta zuni ky virusi ta ve në bankoprovë…është shumë djallzor”, shkruan ish-prokurori i shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas akuzave për korrupsion.
Tom Dedaj u dënua në Gjykatën e Shkallës së parë për akuzën e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorit ose funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Hetimet në lidhje me çështjen, kanë nisën pas publikimit të një video investigative.
N.D./abcnews.al