Bayer Leverkusen është bindur dhe Kai Havertz do të jetë goditja e radhës për londinezët e Chelsea. Mesfushori me tipare sulmuese, i cili ka luajtur edhe në majë të repartit të avancuar, pritet të zyrtarizohet së shpejti pjesë e Bluve të Londrës.
Sky Sport në Gjermani raporton se “Aspirinat” do të arkëtojnë momentalisht shumën e 80 milionë eurove, ndërkohë që 20 milion të tjera mund t’i përfitojnë përmes bonuseve që lidhen me paraqitjet e futbollistit dhe objektivat që Chelsea do të arrijë.
Që të vijë zyrtarizimi, do të duhet që Havertz të kryeje vizitat mjekësore dhe raportohet se 21-vjeçari mund t’i kryejë ato në Londër ditën e shtunë, me leje të DFB. Kështu Lampard mezi pret që të ketë nën urdhra një nga lojtarët gjermanë më të talentuar që është në qarkullim. /abcnews.al