Brexit, tjetër disfatë për kryeministren May

schedule22:35 - 8 Maj, 2018

schedule 22:35 - 8 Maj, 2018

Dhoma e Lartë e Parlamentit britanik ka votuar sërish kundër planeve të kryeministres Theresa May për Brexit. Ndonëse votimi mund të hidhet poshtë në Dhomën e Ulët, ai vë në dukje ndasitë e thella të klasës politike britanike për shkëputjen nga BE.

Dhoma e Lartë e Parlamentit britanik i ka dhënë një tjetër goditje të fortë qeverisë së kryeministres May dhe planeve të saj për procesin e daljes nga BE-ja. Këtë herë, lordët kanë votuar me 298 vota pro dhe 227 kundër në favor të një amendamenti të njohur si “gjurma blu” e Brexit, që i kërkon Britanisë të mbetet pjesë e agjencive europiane, ose tek e shumta të ruajë lidhjet me to.

Kjo është hera e njëmbëdhjetë në javët e fundit që ligjvënësit e Dhomës së Lordëve i shkaktojnë disfatë kryeministres May dhe legjislacionit të saj për periudhën post-Brexit. Qeveria ka propozuar qëndrimin në agjencitë e BE-së që kanë të bëjnë me mjekësinë, lëndët kimike dhe aviacionin, por nga ana tjetër do të braktisen agjenci si Interpol-i, ajo për Sigurinë Detare dhe ajo për Ambjentin.

Gjithashtu, agjencitë që mbikëqyrin bankat europiane dhe sektorin farmaceutik kanë deklaruar se pas Brexit do të zhvendosen nga Londra në qytetet e kontinentit të vjetër, një lëvizje që do të shkaktojë humbje të vendeve të punës në Britani. Votimi i së martës mund të hidhet poshtë në dhomën e ulët të Parlamentit, por ai nxjerr në pah ndasitë e thella për Brexit dhe mund të inkurajojë ligjvënësit që të nxjerrin nga shinat planet e May për një marrëdhënie të re me BE-në./abcnews.al