Situata në vendin tonë, ku Gjykata që mbron Kushtetutën, përfshi pjesën e reformuar dy vjet më parë, nuk bën dot detyrën e saj, nuk ka krahasim me asnjë vend në botë ku institucioni i Gjykatës Kushtetuese ekziston. Deklarata vjen nga nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, i cili modelin shqiptar të reformës në drejtësi e përmbledh me citimin e prokurorit amerikan, anëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit: eksperiment që nuk ka ndodhur gjëkundi tjetër.
“Nëse merret ky model nga shtetet e tjera, Zoti i ndihmoftë. Sot gjykata nuk ka kuorum për t’u mbledhur dhe nuk ka mazhorancë prej 5 anëtarësh që i duhet për të marrë vendimin. Pra çdo gjë që depozitohet në gjykatë është ankesë e pashpresë, mos ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese është kolaps thelbësor i sistemit të drejtësisë, i cili është me prapavijën politike të Edi Ramës për kapjen e gjyqësorit”.
Çdo ankesë e depozituar në këtë Gjykatë, prej Marsit të këtij viti, si theksoi edhe kreu i kësaj Gjykate, Bashkim Dedja për ABC News, mund vetëm të arkivohen, pa pasur asnjë mundësi të shqyrtohen.
“Nuk është askush në rrugën e qeverisë për ta bllokuar. Në mënyrë të vazhdueshme qeveria po merr vendime në dëm të ish-pronarëve, kur i shpronëson me ligj e vendim qeverisë, po ku do të ankohen këta, kur shohin për ditën me diell si u rrëmbehet prona e u shkelet e drejta”?
Mbyllja “de facto” e Gjykatës Kushtetuese nuk është rezultati, thekson Bylykbashi, por vetëm vijimi i bllokimit të një sistemi të ndërtuar në mënyrë perfekte për krijimin e krizave të njëpasnjëshme. Zgjidhja e asaj që quan prapavijë politike të kryeministrit Rama, sipas tij mund të vij vetëm përmes instirumentave kushtetues, dhe ligjorë.
“Nëse s’janë duhet të zgjidhet. Kur ne propozuam zgjidhjen e bllokimit kushtetues për prokurorinë e përgjithshëm nëpërmjet një ndryshimi kushtetues, propozimi ynë u rrëzua. Asnjë zgjidhje që do të ishte anashkalim i normës kushtetuese nuk ka vlerë, por thelbi nuk është tek kandidatët e vettingut”.
Të vetmet organe të ngritura nga kjo reformë të cilat kanë nisur punën dhe po japin një produkt të prekshëm, janë komisionet e vettingut, të cilat për Oerd Bylykbashin në rastin më të mirë do të sjellin boshllëqe eventuale në burime njerëzore në sistemin e drejtësisë.
“Kush janë gjyqtarët dhe prokurorët që do i zëvendësojnë? Sot nuk kemi. Ata që e dizenjuan këtë sistem duhet ta kishin menduar më parë. PD e nënvizoi që në fillim këtë cështje, por amam vetingu duhet të ecë shpejt. Mbi të gjtha korrupsioni nuk luftohet me vetting, korruspsionin e lufton SPAK, e pastaj nuk çuditemi pse Sajmir Tahiri nuk arrestohet kur i kërkohet parlamentit”.
I vetmi nga paketa me 7 ligje organike që mundësojnë zbatimin e ndryshimeve të 2016-ës, i votuar edhe nga demokratët është ai i SPAK, Njësisë Speciale Antikorrupsion. Organi më i lartë dhe i pavarur që kjo reformë pritet të prodhojë, i mbetur pezull në pritje të organeve të tjera ende të pangritura.
“Sa më shumë bllokohet spak aq më i qetë është Rama dhe ministrat, bllokimi ka një prapavijë kontroll dhe mbrojte të Ramës nga sulmi që bën gjyqësori i pastër nesër. Vettingu i çon në pension SPAK i çon në burg, shqiptarët presin këtë të dytën për gjyqtarët e korruptuar dhe minisitrat e korruptuar”
Prej thuajse dy muajsh shteti shqiptar nuk ka “de facto” një Gjykatë Kushtetuese, e teksa kreu i kësaj gjykate bën apel për një zëvendësim të shpejtë të këtyre vakancave, sistemi i drejtësisë së reformuar në letër prej 2 vitesh prêt ngritjen e një numri institucionesh të reja, por edhe funksionimin e tyre. Por askush nuk di të thotë edhe për sa kohë./abcnews.al