5 maji/ Krerët e shtetit homazhe te Varrezat e Dëshmorëve

schedule12:17 - 5 Maj, 2018

schedule 12:17 - 5 Maj, 2018

5 Maji, dita e Dëshmorëve, nisi me homazhet në Varrezat e Dëshmoreve dhe vendosjen e kurorave pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Krerët më të lartë të vendit, si Presidenti Ilir Meta,  kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe ato të shoqatave të veteranëve u përkulen në nderim të kujtimit dhe sakrificës së dëshmorëve të atdheut.

Të rënët, jo vetëm gjatë luftës, por edhe dëshmorët në luftë kundër krimit, u përkujtuan në ditën simbol të tyre nën tingujt e marsheve funebre që shoqëruan ceremonitë përkujtimore, të cilat u çelën rreth orës 09.30 nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Homazhe pranë monumentit “Nënë Shqiperi” zhvilloi dhe kreu i PD-së Lulzim Basha, si dhe përfaqësues të lartë të kësaj force politike.

Presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh para mediave: “Ishte kënaqësi të takoheshim edhe me përfaqësuesit e familjeve të dëshmorëve. Natyrisht ata janë kaq të shumtë, por të gjithë bashkë i bashkon përjetësia në nderim të asaj që kanë bërë për çlirimin e vendit, për 29 Nëntorin, që e vendosi Shqipërinë në anën e drejtë të historisë. Dhe jo vetëm riktheu 28 Nëntorin, që humbën më 7 prill, por njëkohësisht edhe ka bërë të mundur që Shqipëria sot të jetë edhe anëtare e NATO-s, por pse jo, edhe të ketë një perspektivë shumë të mirë edhe për çeljen e negociatave për anëtarsimin në Bashkimin Evropian, pasi ishin ata që përcaktuan gjithashtu rrugën evropiane të Shqipërisë, ashtu sikurse edhe Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.”

Basha: “Nderojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë kundër pushtuesve dhe persekutorvë komunistë. Nderojmë sot Azem Hajdarin dhe heronj të tjerë. Është një ditë nderimi, është dita për t’i kujtuar njëri -tjetrit se liria fitohet e mbrohet çdo ditë, se ditën që nuk luftojmë më për liri rrezikojmë ta humbim atë. Thirrja ime sot është të vazhdojmë ditë për ditë betejën tonë për lirinë e kërcënuar nga diktatura dhe tirania e krimit, autokracia që shkel ligjin për interesa private dhe personale të pushtetit, liria nga tirania e varfërisë, korrupsionit që zhvat dhe shkatërron pasuritë e vendit liria nga tirania dhe autokracia që shkel ligjin për interesa të pushteteve. PD është e angazhuar të çoj në Parlament ligjin për ndalimin e simboleve të komunizmit, dekomunistizimin e Shqipërisë,për të bërë të qartë se kurrë më nuk do të pranojmë rikthimin e të shkuarës së përgjakshme dhe të dhimbshme për të cilën shqiptarët kanë paguar çmimin më të shtrenjtë në Europë dhe kjo do të nisë me ndalimin e simboleve të komunizmit dhe portretit të gjakatarit Enver Hoxha”./ abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!