Pas deklaratave që shkaktuan reagime të ashpra në të gjithë botën, Presidenti palestinez Abu Mazen, kërkoi falje duke thënë se nuk kishte pasur si qëllim të ofendonte askënd. Ai ishte shprehur tre ditë më parë se sjelljet sociale si aktivitetet bankare dhe fajdet, nga ana e hebrenjve ishin një nga shkaqet kryesore të holokaustit.
Presidenti palestinez, Abu Mazen, kërkoi falje për deklaratat mbi hebrenjtë dhe holokaustin. Deklarata që ngjallën reagime në të gjithë botën. Ai u shpreh se nuk kishte menduar të ofendonte askënd dhe se ka një respekt të thellë për fenë hebreje dhe për besimet e tjera. Abu Mazen theksoi gjitashtu se e dënonte holokaustin si një nga krimet më të urryera të historisë dhe i shprehu solidaritet viktimave.
I sapo rizgjedhur në postin e tij, presidenti palestinez deklaroi se e dënonte anti-semitizmin në cdo forma të tij dhe konfirmoi impenjimin e komunitetit palestinez për zgjidhjen që parashikon ekzistencën e dy shteteve që mund të jetojnë në paqe dhe siguri pranë njëri-tjetrit.
Abu Mazen, i akuzuar dhe në të kaluarën për anti-semitizëm nga Izraeli, u shpreh në 1 Maj të këtij viti se sjelljet sociale si aktivitetet bankare dhe fajdet, nga ana e hebrenjve ishin një nga shkaqet kryesore të holokaustit. Dhe Bashkimi Europian e dënoi këtë deklaratë duke e cilësuar si të papranueshme./abcnews.al