Vrau shokun e ngushtë, gjykata jep vendimin për Stjuart Smakaj

schedule11:23 - 20 Gusht, 2020

schedule 11:23 - 20 Gusht, 2020

Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg Stjuart Smakaj, 23 vjeç, i cili akuzohet se vrau shokun e ngushtë, Gledis Kraja.

Burime për Abc News bëjnë me dije se në seancën e sotme 23-vjeçari është shfaqur i penduar dhe nuk ka mundur të flasë, pasi ka “shpërthyer” në lot.

I riu ka pranuar vrasjen dhe ka deklaruar para grupit Hetimor se objektivi i tij ishte Denis Halili, pas një sherri për një vend parkimi.

23 vjeçari ka theksuar se nuk e dinte që miku i tij ishte në zonën drejt të cilës qëlloi plot 18 plumba me një armë të modifikuar në mënyrë artizanale.

LEXO EDHE: FOTO/ Vrau gabimisht shokun në Shkodër, ky është Stjuart Smakaj

Ngjarja e rëndë ka ndodhur me 17 gusht në vendin e njohur si Qafë Hardhia në Shkodër. I gjithë sherri sipas tij ka nisur për shkak të parkimit të kamionit te mobilerisë. Familja Smakaj kishte bërë porosinë e divanëve për banesën e tyre në të cilën ishin vendosur prej pak kohësh.

Debati ka nisur mes vëllezërve Smakaj dhe shoferit të mobilerisë, të cilit i kanë kërkuar që të parkojë kamionin afër hyrjes së pallatit i cili ndodhet përballë vendit ku ka ndodhur ngjarja. Shoferi ka refuzuar një gjë të tillë nen pretekstin se nuk ka mundësi parkimi duke e larguar kamionin pak metra më tutje.

Në atë moment mes vëllezërve Smakaj dhe punonjësve të mobilerisë ka nisur fillimisht konfrontimi fizik, ku në ndihmë të shokëve të tyre ka ardhur edhe 23 vjeçari Gledis Kraja, i cili ka arritur fillimisht të qetësojë gjakrat./abcnews.al