Franca do ta bëjë mbajtjen e maskave të detyrueshme në vendet e punës. Lajmin e ka bërë të ditur qeveria e vendit të martën ndërsa lista e vendeve ku mbulimi i fytyrës është i detyrueshëm shtohet.
Kur francezët të kthehen në vendet e tyre të punës pas pushimeve të gushtit, maskat do të jenë një shtesë sistematike në ambientet e punës, duke përfshirë këtu edhe dhomat e mbledhjeve, korridoret, dhomat e ndërrimit dhe zyrat, u shpreh ministrja e Punësimit Élisabeth Borne për AFP.
Borne u takua me punonjës dhe përfaqësues nga bizneset të martën për të diskutuar masat e reja, për të cilat ajo u shpreh se janë marrë bazuar në rekomandimet e Këshillit Shëndetësor publik të qeverisë.
Këshilli mori në konsideratë një konsensus shkencor në rritje që koronavirusi transmetohet jo vetëm në spërklat e mëdha që shpërndahen kur një person kollitet ose teshtin, por edhe nga ato më të vogla që mund të mbeten në ajër nga procesi i frymëmarrjes së personave të infektuar, shtoi ministrja.
Kujtojmë këtu se Franca e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave në transportin publik dhe në hapësirat publike të mbyllura të tilla si dyqanet dhe zyrat qeveritare, por e ka lënë përdorimin e tyre në zyra në dorën e punëdhënësve deri më tani. /abcnews.al/