Barcelona preku fundin mbrëmjen e kaluar. Humbja 8-2 ndaj Bayern Munchen në çerekfinalet e Champions League ka sjellë zhgënjim dhe tronditje në kampin katalanas, teksa tifozët nuk e besojnë akoma rezultatin e dhimbshëm.
Shumë ndryshime do të ndodhin në klub, duke filluar nga drejtuesit, trajneri dhe kontingjenti i lojtarëve. Në dyshim të madh është e ardhmja e Leo Messit. Kapitenit i përfundon kontrata verën e vitit të ardhshëm.
Në Spanjë janë të bindur për vendimin që ka marrë “pleshti”. AS dhe “Cope” raportojnë se ylli argjentinas po e mendon seriozisht largimin nga “Camp Nou”. Një lajm që gëzon shumë klube, që do t’i plotësonin çdo dëshirë për ta pasur në skuadrat e tyre.
Humbja e fundit i ka vënë vulën, Messi është drejt “dorëzimit” dhe pritet të nisë një aventurë të re në karrierë. Gjithsesi, një merkato cilësorë që do e rikthente Barcelonën e copëtuar sërish kompetitive, mund të bindë 33-vjeçarin të rinovojë dhe të qëndrojë në La Liga. /abcnews.al