“Karikoje telefonin Çimi”, futbollistët ironi në rrjetet sociale me drejtuesit e Vllaznisë

schedule10:18 - 14 Gusht, 2020

schedule 10:18 - 14 Gusht, 2020

Ndriçim Shtubina ka vendosur ta vazhdojë karrierën tek Egnatia, ku do të jetë nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Shkodrani nuk është ndjerë mirë që nuk është kontaktuar nga drejtuesit e rinj të Vllaznisë dhe e ka shprehur këtë përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Të paktën, për kaq vite që kam në futboll dhe ne Shkodër, për këto dy ngjyra, meritoj dhe vetëm pak respekt nga këta drejtuesit e rinj, sepse nuk kam asnjë kontakt nga ata.  Gjithsesi Vllazninë e du, asht në zemrën teme gjithmonë. Shpresoj që Vllaznia të shkojë sa më lart”, shkruante një ditë më parë Shtubina.

Komentet kanë qenë të shumta dhe mes tyre nuk ka munguar edhe një prej mesfushorit Florind Bardulla. Ironi, pasi sa duket edhe ai jashtë listës së të preferuarve të drejtuesve të rinj. “Suksese Çimi dhe karikoje telefonin, mos e mbaj fikur”.

Komenti i tij nuk ka kaluar pa u vënë re as nga lojtarë të tjerë të Vllaznisë. “Like” nuk i ka bërë vetëm Shtubina, por edhe Ardit Krymi dhe Silvio Zogaj. Të dyve i kanë mbaruar kontratat dhe ende nuk kanë rinovuar. Nuk mungon as Antonio Marku, i cili qesh me komentin e Bardullës.

Sikurse kuptohet, në Shkodër rinovimet janë një temë që do të hajë shumë diskutime. Një pjesë e mirë e titullarëve të Vllaznisë kanë pasur kontrata të mira dhe mbetet të shihet nëse drejtuesit e rinj do t’ua plotësojnë kërkesat financiare. /abcnews.al