Flet vëllai i viktimës në Kamëz: Nuk pranojmë falje nga familja Kurti

schedule15:39 - 30 Prill, 2018

schedule 15:39 - 30 Prill, 2018

Disa ditë pas krimit, në dy familjet Buci dhe Kurti në Kamëz ka një situatë të ndere. Familjarët e viktimës nuk pranojnë falje dhe kërkojnë nga drejtësia të vendosë dënimin për autorët. Ndërsa familja e Vladimir Kurtit është thuajse e ngujuar.

Në familjen Buci ka ende tronditje, dhimbje dhe padurim për vënien e drejtësisë në vend për vrasjen e Agim Bucit dhe plagosjen e bashkëshortes së tij Meritës në prani të djalit 6-vjeçar.

Të mbledhur rreth Rifat Bucit, vëllait të madh te të ndjerit, anëtarë të tjerë të fisit shprehen jashtë kamerave se i kanë lënë në dorë organeve te drejtësisë hakmarrjen për autorin e vrasjes, Vladimir Kurti.

Rifati bën apel për ndihmë, pasi gjendja e Merita Bucit vijon të jetë e rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Pyetje: “Babai i Vladimir Kurtit ka kërkuar falje! A do ta falni”?

Rifat Buci: “As nuk dua ta dëgjoj më këtë llaf. Me ma përsërit edhe njëherë nuk… As mos të vijë më  njeri në qoftë se kërkoni. Nuk pranoj asnjë. Me më thënë të tërë vëllezërit me një anë. Nuk dua të më kërkojë asgjë. Ai në punë të vet, unë në punë timen. Unë nuk do bëj asgjë. Unë ia kam lënë në dorë shtetit, shteti le të merret me këtë gjë”.

 Një tjetër situatë, gjithashtu e rënduar shfaqet në familjen e Vladimir Kurtit, disa minuta larg banesës së viktimës, Agim Buci, në rrugën “Besëlidhja” në Kamëz.

Petrit Kurti, babai i 28-vjeçarit të arrestuar për vrasje, mundohet të qetësojë anëtarët e tjerë të familjes.

Ka edhe nervozizëm nga anëtarët e familjes sapo shikojnë një grup xhirimi të trokasë në derë. 

Andi Qosja: “Asnjë nga meshkujt e familjes Kurti nuk ndodhet në banesë përveç kryefamiljarit Petrit Kurti. Ata i tremben një hakmarrjeje me fisin Buci .”/abcnews.al