Ditën e nesërme Barcelona pret në shtëpi Napolin, ku pritet të zhvillohet takimi i dytë mes dy ekipeve. Trajneri i katalanasve, Quique Setien, në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para takimit foli për formacionin që do të zgjedhë për sfidën e nesërme si dhe ka folur për gjendjen e lojtarëve të tij.
“Unë pothuajse e kam zgjedhur formacionin anti-Napoli, por disa lojtarë mund të varen dhe nga rrethana të ndryshme. Nuk e mendoj se kjo do të jetë ndeshja ime e fundit në stolin e Barcelonës. Jam shumë i qetë dhe do të vazhdoj të ruaj këtë qetësi edhe nëse ne arrijmë deri në finalen e Portugalisë.
Mungesat? Kemi disa, por duhet të përshtatemi me lojtarët që kemi në dispozicion. Normalisht më e mira do të ishte që t’i kemi të gjithë lojtarët, por nuk kemi zgjidhje tjetër.
Arthur? Fola me të para se të largohej për në Brazil dhe që nga ajo ditë nuk kam kontaktuar më me të. Për pjesën tjetër jam informuar nga klubi, por do të doja që historia e tij të kishte shkuar ndryshe.
Po flitet shumë se Barcelona e ka humbur identitetin e saj, por kjo nuk është e vërtetë. Unë jam përpjekur çdo ditë që ta përmirësoj atë. Lojtarët duhet të japin maksimumin në një ndeshje si ajo e nesërmja. Ne kemi një ëndërr dhe motivimi në këto lloj ndeshjesh është më i madh. Jam i sigurt që gjithçka do të shkojë mirë dhe në fund do të jemi ne që do të avancojmë më tej”, mbyll Setien. /abcnews.al