Robert Lewandowski është një makineri golash. Sulmuesi polak i Bayern Munich spikati me Borussia Dortmund fillimisht dhe mund të ishte transferuar në Spanjë në vitin 2013. Real Madrid i ofroi atij një parakontratë, që kishte në të shifra të “çmendura”.
“Onet.pl” ka zbuluar detaje të asaj kontratë, që do të ishte e vlefshme për gjashtë vite. Spanjollët nuk do të paguanin asnjë qindarkë për Borussia Dortmund, por do të jepnin 13 milion euro në momentin që Lewandowski do të nënshkruante.
Paga e sulmuesit ishte parashikuar 9 milion euro në sezon, ndërkohë që i ishin lënë 50% të të ardhurave të siguruara nga e drejta e imazhit. Sigurisht në kontratë do të përfshihej një klauzolë për largimin e polakut, që kapte vlerën e 150 milion eurove.
Ai ishte gati ta prishte akordin e arritur me Bayern Munich, por u zhgënjye nga fakti që Real Madrid nuk ia ofronte fanellën e ëndrrave. Sulmuesi donte numrin nëntë, që mbahej nga Benzema, por spanjollët ia hodhën poshton kërkesën e bërë dhe më pas Lewandowski u bë bavarez. /abcnews.al