Për Kryeministrin Rama, të sapo zbritur në tokë Shqiptare pas vizitës në Berlin, kjo e fundit mund të konsiderohet një sukses, sa i përket objektivave që kishte. Parakushteve të përmendura nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri i jep tjetër ngjyrim nga ai i perceptuar nga media e cila kërkoi një zbardhje të tyre.
Besoj që kjo vizitë mund të konsiderohet e suksesshme për përmbushjen e objektivave që kishim. Jam i bindur që në fund të vizitës ka një kuptim më të plotë lidhur me pozicionin në të cilin gjendet sot Shqipëria dhe legjitimitetin e kërkesës sonë që të mbështetet nga qeveria dhe parlamenti gjerman. Takimi me kancelaren ka qenë një moment i rëndësishëm i vizitës për të shkëmbyer opinionet lidhur me progres raportin, rezultatin për çeljen e negociatave në përmbushjen e parakushteve. Parakushtet për të cilat Merkel foli janë parakushtet që përbëjnë të gjithë procesin e derikëtushëm për të ardhur deri tek rekomandimi. Sigurisht që në bisedën me të i kemi prekur me radhë të gjitha parakushtet, dhe kur thashë që vizita jonë ishte e suksesshme do të thotë se nuk kemi pritur të marrim “po”-në publike për mbështetje”.
Duke e cilësuar si “një nga qindra eurodeputetët e Gjermanisë” kreun e komisionit të çështjeve për Europën në Bundestag, Gunther Krichbaum, shefi i ekzekutivit shqiptar Rama, mendimin e tij nuk e sheh si surprizë edhe pse mohon t’ia ketë komunikuar personalisht.
“Ai nuk ma ka thënë këtë gjë por nuk është një surprizë. Ai është një nga qindra deputetët e Bundestagut, mendimi i tij ka atë peshë që ka, por as nuk më gjen të papërgatitur dhe as nuk më ul kënaqësinë e rezultateve të kësaj vizite”.
Ishte pikërisht komisioni për çështet europiane në Bundestag që Krichbaum kryeson arena ku është rrahur biseda për ish-ministri Saimir Tahiri, i akuzuar për përfshirje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge. Vetëm pas insistimit të gazetarëve, kryeministri shpjegoi.
“Është bërë një pyetje në Komisionin e Çështjeve Europiane lidhur me këtë çështje dhe lidhur me pozicionin tonë në këtë proces, pyetje që sigurisht ka pasur të bëjë në thelbin e shqetësimit të vet, edhe me baltën e eksportuar atje dhe me tregimin e deformuar të kësaj historie, por ne kemi qenë në Gjermani, nuk kemi qenë në Venezuelë, ku të na kërkohet që të kapim dikë dhe ta çojmë para drejtësisë, sepse kjo është një çështje e drejtësisë dhe këtë në Gjermani e dinë qëkur marrin qumështin e nënës.”
Taksë e kësaj balte, të tranportuar nga opozita shqiptare i quajti kritikat e këtij komisioni, pa fshehur bezdinë e krijuar.
“Sa i përket opozitës dua të them se konstatova me keqardhje në dëgjesën e komisionit të çështjeve europiane që çka lidhej me çështje që nuk janë pjesë e raportit të progresit ishte thjesht transmetimi në gjermanisht i atyre që dëgjojmë këtu shqip deri në bezdi dhe ky është roli që ka luajtur deri tani opozita shqiptare dhe kështu i ka shfrytëzuar deri tani ato pak lidhje gjithmonë e më pak që ka duke përcjellë dhe eksportuar pa u lodhur baltën e përditshme dhe duke e kthyer atë në një pengesë për të lejuar që Shqipëria të shikohet nga të gjithë për atë që është në këtë moment dhe që raporti i progresit të lexohet nga të gjithë pa vendosur përpara paragjykimet e krijuara nga ato të pa vërteta për ti quajtur me një fjalë të edukuar që opozita ka propaganduar pa pushim në gjuhë të huaj”.
Ithari i mos baltosjes së vendit në gjuhë të huaj duket se nuk e ndjek këshillën e tij sa i përket medias në vend, epitetin e preferuar për të cilat njoftoi se e transportoi edhe në Berlin./abcnews.al