Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare Liri Belishova, pjesëmarrëse në Luftën Nacional Clirimtare, që u burgos më pas nga Enver Hoxha, si një nga kundërshtaret e tij më të rrepta.
E lindur në një familje të pasur në Belishovë të Mallakastrës, ajo ndoqi studimet në Institutin “Nana Mbretneshë”, e më pas u lidh me luftën nacional clirimtare. Pas clirimit, ajo drejtoi organizatën e rinisë popullore, por karriera iu ndërpre në vitin 1946, për shkak të vetëvrasjes së dyshuar të bashkëshorit të saj Naku Spiro, një zyrtar i lartë partiak. Pas vdekjes së bashkëshortit, Belishova u shkarkua nga detyra dhe u dërgua si mësuese në Berat, e u rehabilitua dy vite më vonë, pas prishjes së Shqipërisë me jugosllavët. Por pas vitit 1960, e identifikuar si kundërshtare e regjimit, ajo u internua bashkë me familjen për katër dekada. Në ato vite ajo humbi edhe vajzën 23 vjeçare Drita Çomo nga një tumor.
Pas viteve 90, znj.Belishova ishte publikisht aktive në trajtimin e të shkuarës diktatoriale të vendit, ndërsa spikati si e para figurë, që edhe pse vuajti familjarisht pasojat e regjimit, ka kërkuar ndjesë viktimave dhe popullit shqiptar për dëmet që u bëri diktatura e Hoxhës.
Në një mesazh ngushëllimi, Presidenti Meta vlerësoi figurën e Liri Belishovës, një prej idealisteve të kohës që u bë viktime e një persekutimi ç’njerëzor të pabesueshëm e që përjetoi tragjedi personale e familjare.
“Nderim për atë dhe të gjithë të rejat që u frymëzuan me idealet e lirisë duke iu bashkuar me guxim e idealizëm Luftës antifashiste për çlirimin e vendit. Ato lanë bankat e shkollave për të realizuar idealet e tyre të cilat për fat të keq u prenë në mes dhe shumë prej tyre u bënë viktima të një persekutimi çnjerëzor të pabesueshëm duke përjetuar tragjedi personale dhe familjare”- shkruan Meta. /abcnews.al