Zërat e merkatos në Superiores vijojnë dhe në qendër të vëmendjes janë dy futbollistë korçarë. I pari është mesfushori Sabien Lilaj, i cili pas eksperiencave në Azerbajxhan me Qabala dhe Nes Tziona në Izrael mund të rikthehet në Shqipëri.
Tirana e do, por ka rivalitet. Sipas “Panorama Sport” edhe Partizani, klub që për momentin e ka të bllokuar merkaton, po e tenton sërish. Lilaj, sipas burimit të mësipërm, kërkon tetë mijë euro në muaj, një pagë e lartë për nivelin e futbollit në Shqipëri.
Jo se nuk ka lojtarë që marrin aq, madje edhe duke u stërvitur me ekipin e dytë apo duke ngrohur stolin. Lilaj nuk është bast dhe cilësitë e tij njihen, ndaj për ta pasur në skuadër duhet bërë edhe një sakrificë në aspektin financiar.
Korçari tjetër që mund të ndryshojë skuadër dhe ka oferta është mbrojtësi Jorgo Pëllumbi. Për të ka një ofertë nga Sturm Graz në Austri, klub me të cilin luan edhe sulmuesi i kombëtares, Bekim Balaj. Skënderbeu për kartonin e të riu kërkon 300 mijë euro dhe mbetet të shihet nëse klubi austriak është i gatshëm t’i plotësojë kërkesat financiare të korçarëve. /abcnews.al