Veliu ultimatum punonjësve të policisë: Dilni në terren, kanabisi nuk konstatohet nga zyra

schedule20:50 - 27 Korrik, 2020

schedule 20:50 - 27 Korrik, 2020

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, së bashku me Aida Hajnan dhe Tonin Vocajn, zhvilloi një analizë të situatës së kanabisit në Shqipëri ku morën pjesë drejtorët e drejtorive vendore Elbasan, Tiranë, Durrës e Korçë dhe shefat e komisariateve.

Veliu theksoi se nuk do tolerohet asnjë drejtues policie e deri te punonjësi më i thjeshtë, në rast se do ketë neglizhencë apo implikim, ndaj në ditët në vijim duhet të shtohen kontrollet në territor.

“Periudha që ka mbetur është periudhë që e gjithë Policia të jetë në terren e jo në zyra. Të nxirrni përgjegjësitë dhe atje ku janë konstatuar raste të kultivimit të ndëshkohen personat përgjegjës, qoftë nga radhët e Policisë, pushteti vendor, kryepleqtë e fshatrave, inspektorët e pyjeve e të cilitdo institucion që ngarkon ligji me përgjegjësi”, – shtoi Veliu.

Ai porositi që me dronët dhe helikopterin e Policisë çdo ditë duhen ushtruar kontrolle e rikontrolle territori.

“Grupet e kontrollit nga toka të kontrollojnë imtësisht territorin, banesat e braktisura, tunelet, serat e çdo vend tjeter. Policia Kriminale të intensifikojë veprimet në drejtim të marrjes së informacioneve për personat me tendencë kriminale”, – nënvizoi Drejtori i PSH.

Gjithashtu ai porositi të shtohen kontrollet për goditjen e krimeve mjedisore.

Veliu kërkoi më shumë angazhim në drejtim të rritjes së parametrave të sigurisë, me prioritet zonat bregdetare, kapjen e personave në kerkim, atyre që qarkullojne me armë apo me lëndë narkotike.

Drejtori u ndal edhe në intensifikimin e punës për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Veliu ka theksuar se shërbimi ndaj qytetarëve është prioritar dhe ka kërkuar rritje të performancës së Policisë në këtë drejtim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!