Këtë të djelë plazhet e vendi janë frekuentuar nga shumë turistë. Në Vlorë në zonën e Ujit të Ftohtë bien në sy kryesisht të huaj nga Ukraina dhe Bjellorusia.
Ndërsa mungojnë ata tradicionalët që janë italianët. Shkak është bërë pandemia, pasi Italia nuk lejon udhëtimet për turizëm.
Pjesa më e madhe e turistëve vijnë për herë të parë në Vlorë, të cilët kanë mbetur me përshtypje pozitive.
Ata pohojnë se Vlora ofron shumë mundësi, plazhe dhe kushte komode në hotele apo banesat që kanë marrë me qira.
“Kam ardhur nga Ukraina. Shqipëria por edhe qyteti i Vlorës janë të bukura. Kam dy vjet që vij në Shqipëri dhe për mua është shumë këndshëm”, shprehet një turist.
Ndërsa pushuesit nga vendi ynë thonë se këtë vit nuk ka shumë të tillë nga Shqipëria.
“Shqiptarët janë shumë të paktë këtu, më vjen keq për këtë, ndoshta s’kanë mundësi”.
Pushuesit që janë duke frekuentuar plazhin e ri në Sarandë janë të pakët krahasuar me vite më parë. Por dhe ata që janë aktualisht nuk janë duke ruajtur distancën sociale.
Plazhi publik në Sarandë është ngushtuar për shkak se në një prej pjesëve të tij vazhdojnë punimet për bulevardin e ri. Ndaj dhe pushuesit duket se nuk kanë dhe shumë faj që nuk mbajnë dot distancë pasi kjo është hapësira që ju ka mbetur për të shfrytëzuar.
“Përpiqemi të mbajmë distancë, po edhe shumë vend nuk ka”, shprehet një pushues.
Ka dhe pushues që ende mendojë se virusi është legjendë.
“Nuk kam frikë, ndoshta kanë sëmundje të tjera dhe thonë ka virus”, thotë një prej tyre.
Këtë verë interes më të shtuar pushuesit kanë pasur dhe për Plazhi e Talës.
Meqë ka afërsi gjeografike me Kosovën ka shumë pushues nga qytete të ndryshme të Kosovës që tregojnë dhe arsyet se përse kanë zgjedhur të pushojnë në Tale.
“E kemi më afër dhe ndjehemi mirë këtu”, shprehet një nga turistët.
Operatorët turistik në këtë plazh duket se janë treguar më të kujdesshëm që turistët të respektojnë masat anti-covid.
“I kemi marrë të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, po ashtu edhe çmimet janë të arsyeshme”, thotë një prej operatorëve turistikë./abcnews.al/