Shiringa, goma, inerte dhe mbeturina të gjithëfarëllojshme po mbulojnë lumin Drino në Gjirokastër. Ai po ngjason më shumë me një kënete.
Para viteve ‘90 banorë të zonës bënin plazh dhe peshkonin. Po sot është braktisur dhe për arsye të tjera. Edhe ujërat e zeza që derdhen nga biznese të ndryshme që operojnë përgjatë shtratit të lumit Drino e kanë bërë të pafrekuentueshëm.
Në këtë periudhë pandemie lumi është kthyer në një vatër të rrezikshme të përhapjes së mikrobeve.
Po a ka një plan Bashkia e Gjirokastrës që ky lumë të pastrohet dhe të ndalohet hedhja e mëtejshme e mbeturinave?
Drejtori i Pastrimit në Bashki tha se është ndërhyrë disa herë për pastrimin e lumit.
“Kemi ndërhyrë disa herë për pastrimin e lumit Drin. Punë ka, pasi dhe dora e qytetarëve ka bërë të kundërtën e institucioneve dhe pushtetit vendor”, u shpreh drejtori i ndërmarrjes Pastrim –Gjelbërimi pranë bashkisë Gjirokastër Ylli Muho.
Gjithashtu Muho paralajmëron se do vendosin dhe penalitete.
“Detyrimisht do të shkojmë drejt gjobave si për bizneset ashtu dhe për qytetarët që ndotin shtratin e Lumit Drino”, u shpreh ai.
Drejtori i Pastrim-Gjelbërimit në Gjirokastër lëshon dhe një thirrje për Bordin Rajonal të Kullimit me qendër në Fier që të ndërhyjë me mjetet e posaçme për mbledhjen e inerteve./abcnews.al/