Ish-deputeti socialist i prekur me Covid-19: Me sa duket beteja do të zgjasë ende

schedule18:44 - 25 Korrik, 2020

schedule 18:44 - 25 Korrik, 2020

Ish-deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Toçi i cili rezultoi pozitiv me koronavirus pak ditë më parë ka treguar gjendjen e tij shëndetësore.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Toçi shkruan se duket se është në gjendje të stabilizuar, ndërsa shton se duket se beteja e tij me këtë sëmundje do të vazhdojë akoma.

Ai falënderon miqtë që i janë gjendur pranë dhe mjekët në spitalin Shefqet Ndroqi.

“Mirënjohje e falënderime. Interesimi i të afërmve, miqve, të njohurve dhe dashamirësve të shumtë për gjendjen time shëndetësore, pas prekjes nga Covid-19 ma ka bërë më të lehtë përballimin e kësaj situate, si pjesë e rëndësishme e trajtimit shëndetësor që po përdoret, me sa duket deri tani, me sukses.

Në pamundësi për t’iu përgjigjur mijëra mesazheve dhe interesimeve të vazhdueshme në forma të tjera nga e gjithë bota, informoj se gjendja duket e stabilizuar, edhe pse beteja me Covidin-19 vazhdon dhe, me sa duket, do të zgjasë akoma.

Nuk di si t’ju falënderoj për forcën dhe kurajën që me keni dhënë në këto çaste të vështira për mua dhe familjen time, duke demonstruar vlerat e një shoqërie humane e të qytetëruar, siç ka qenë dhe është shoqëria shqiptare.

Mirënjohje dhe dashuri të pafund për personelin e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, mjekë, specialistë e infermierë, profesionalizmi, kujdesi dhe humanizmi i të cilëve janë shfaqja më dinjitoze e misionit që kanë marrë përsipër dhe i kanë kushtuar jetën e tyre.

Çfarë të them për Prof. Perlat Kapisyzin, drejtorin e institucionit?! Disa njerëz janë lindur e formuar për të qenë misionarë me punën e tyre, me ndikim dhe kontribute te jashtëzakonshme në shoqëri, dhe do të thoja pa hezitim, ky është një nga rastet më të spikatur.

Zoti i ruajttë dhe u dhëntë forcë!  

Shoqëria ka nevojë jetike për ata sot më shumë se kurrë, ashtu sikurse edhe ata kanë nevojë që të gjithë ne të jemi më të ndërgjegjshëm e më të përgjegjshëm përsa po ndodh realisht në të gjithë botën”, shkruan Toçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!