EMRI/ Shpërthimi i gazit në ish-Kombinatin Metalurgjik, arrestohet administratori i firmës

schedule09:19 - 23 Korrik, 2020

schedule 09:19 - 23 Korrik, 2020

Policia e Elbasanit  ka arrestuar sot administratorin e firmës ku u plagosën tre punëtorë, si pasojë e shpërthimit të gazit, në një subjekt privat në ish-kombinatin metalurgjik Elbasan.

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në subjektin privat “Alba Gaz”, në zonën e ish-metalugjikut ku si pasojë janë plagosur punonjësit që ndodheshin aty. Burime për Abc News, bëjnë me dije se i arrestuari është Yllson Pellumbi.

Sipas uniformave blu gjatë kohës që po punonin në ambientet e firmës, nga shpërthimi i gazit u plagosën tre punonjës, shtetasit Q. M., O. B. dhe E. B., të tre banues në Elbasan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

LEXO DHE:Rrjedhje gazi te ish-Metalurgjiku në Elbasan, plagosen 3 punonjës

Njoftimi i policisë:

Policia e Elbasanit vë në pranga administratorin e firmës ku u plagosën tre punëtorë, si pasojë e shpërthimit të gazit.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një subjekt privat në ish-kombinatin metalurgjik Elbasan, në të cilin, gjatë kohës që po punonin në ambientet e firmës, nga shpërthimi i gazit u plagosën tre punonjës, shtetasit Q. M., O. B. dhe E. B., të tre banues në Elbasan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën, bëjmë me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka kryer të gjitha veprimet në vendngjarje.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin: Y. P., 54 vjeç, banues në Elbasan, administratori i firmës.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale./abcnews.al