Apelimi për dënimin e UEFA-s, Skënderbeu: Ka vetëm një të vërtetë!

schedule11:59 - 22 Korrik, 2020

schedule 11:59 - 22 Korrik, 2020

Skënderbeu është dënuar nga UEFA me 10 vite përjashtim nga kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë, çështje që u gjykua edhe nga CAS dhe dënimi ndaj korçarëve mbeti në fuqi. Klubi i Superiores mendoi ta vazhdonte betejën ligjore në Gjykatën Federale të Zvicrës.

Vetë presidenti Ardjan Takaj, kohë më parë kishte deklaruar se në qershor do të merrej një vendim. Kjo nuk ka ndodhur, ndërkohë që së fundmi ka pasur zëra, apo edhe lajme, që thoshin se “Skënderbeu e ka marrë vendimin, por nuk e bën publik”. Nisur nga kjo, në klubin korçar kanë dalë me një reagim.

REAGIMI – “Deklaratë për shtyp! Duke marrë parasysh aludimet e vazhdueshme në mediat vizive, online dhe në shtypin e shkruar, KF Skënderbeu kërkon të sqarojë opinionin publik dhe sportdashësit bardhekuq se nuk ka ende një vendim përfundimtar nga gjykata Federale në Zvicër në lidhje me apelimin e kryer nga klubi.

Vendimi i cili pritej në fund të muajit qershor është shtyrë për shkak të situatës së krijuar nga Pandemia COVID-19 dhe nuk ka një datë fikse për publikimin e vendimit përfundimtar.

Klubi i Futbollit “Skënderbeu” mbetet në pritje të vendimit dhe sigurojmë tifozët dhe opinion publik se çdo vendim do të publikohet në kohë reale jo vetëm nga klubi por edhe nga Gjykata Federale.

Iu bëjmë thirrje mediave të mos aludojnë me lajme krejtësisht të pavërteta duke pasur parasysh dhe ndjeshmërinë që ka çështja në fjalë për klubin dhe tifozët e Skënderbeut”, shkruhet në reagimin e bërë nga Skënderbeu. /abcnews.al