“Kosova ishte viktima”, Basha takim me Kadri Veselin: Drejtësia do të triumfojë

schedule22:36 - 20 Korrik, 2020

schedule 22:36 - 20 Korrik, 2020

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pritur nga kreu i PDK, Kadri Veseli në një prej takimeve të shumta të tij të zhvilluara sot në Prishtinë të Kosovës.

Fokusi kryesor i diskutimeve ishte dialogu me Serbinë, për të cilin Basha theksoi se është rruga e vetme për njohjen e ndërsjellë.

Përmes një shënimi në “Facebook”, Basha u shpreh i bindur se asnjë akuzë nuk mund ta njollosë luftën e Kosovës për liri, pasi ajo ishte viktimë dhe jo agresor.

Statusi:

Pata kënaqësinë të bisedoj gjatë pasdites me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, zotin Kadri Veseli, për zhvillimet në Kosovë, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe për aktakuzën e ngritur ndaj tij.
Asnjë akuzë ndaj komandantëve apo ushtarëve të UÇK-së, nuk mund ta njollosë luftën për liri dhe pavarësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kosova ishte viktima dhe jo agresori. E megjithatë, të gjithë të akuzuarit nga ana e viktimës, i janë përgjigjur thirrjeve të drejtësisë, ndërsa agresori ende nuk është përgjigjur për krimet, vrasjet, përdhunimet dhe genocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës.
Edhe kësaj here jam i bindur se drejtësia do të triumfojë, dhe Kosova do të vazhdojë të konsolidohet si shtet i pavarur, i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euroatlantike.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndamë të njëjtin qëndrim me z.Veseli se dialogu është rruga e duhur për të çuar në procesin e njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve.
Kam bindjen se udhëheqësit politikë dhe institucionalë të Kosovës do të arrijnë me maturinë, guximin dhe pjekurinë e treguar deri më sot, të përballen me sfidat që ka përpara Kosova, qoftë ato që lidhen me dialogun, politikën e brendshme, çështjet ekonomike apo dhe proceset integruese të Kosovës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!