Sinqeriteti i Vettel: Doja titullin për Schumacher, dështova te Ferrari

schedule15:42 - 18 Korrik, 2020

schedule 15:42 - 18 Korrik, 2020

Sebastian Vettel ka fituar katër herë titullin kampion në Formula 1 me Red Bull, por nuk ia ka dalë të përsërisë veten me Ferrarin. Piloti gjerman është pjesë e “Kokëkuqes” italiane prej vitit 2015 dhe ky është sezoni i fundit në skuderinë e famshme.

54 herë në pod dhe dy herë nënkampion është shpallur me Ferrarin, teksa ky sezon ka nisur në mënyrën më të keqe. 33-vjeçari ka dhënë një rrëfim të sinqertë për mediet italiane, aty ku pranon se ka dështuar totalisht te skuaderia italiane.

Objektivi im ka qenë të fitoja Botërorin me Ferrarin, por nuk ia kam arritur. Në këtë prizëm, mund të them që kam dështuar. Gjithsesi, kemi kaluar vite të bukura së bashku dhe nuk pendohem për asgjë.

Mendoj se jam aq i pjekur për të kuptuar se çfarë nuk ka funksionuar dhe për të vazhduar përpara. Ferrari ka qenë gjithmonë ëndrra ime e madhe. Gjithmonë jam frymëzuar në rininë time nga Schumacher, i cili mbetet një markë tërheqëse dhe më i miri i historisë.

Shpresoj t’i hiqja ndonjë titull Hamiltonit, në mënyrë që rekordi i Schumacher të zgjaste më shumë. Për fat të keq, tani nuk jemi më në gjendje për të frenuar Lewis. E doja një titull te Ferrari, për veten time dhe për Schumacher. Mëkat që nuk funksionoi“, përfundon Vettel. /abcnews.al