Ljupço Doriev është zyrtarisht pjesë e Shkëndijës së Tetovës. Në Maqedoninë e Veriut e raportuan arritjen e marrëveshjes që para pak ditësh, madje thuhej se Lorik Cana e kishte bindur Goran Pandev që ta shiste sulmuesin anësor te kuqezinjtë. Kontrata e Doriev do të jetë 3-vjeçare, ndërkohë që Akademija Pandev përfiton 70 mijë euro nga ky transferim.
NJOFTIMI – KF Shkëndija me kënaqësi komunikon zyrtarizimin marrëveshjes me sulmuesin e krahut, Ljupço Doriev. Drejtuesit e klubit kanë mbyllur me sukses bisedimet me kryesinë e skuadrës Akademia Pandev, duke angazhuar 24-vjeçarin një vit para skadimit të kontratës me ekipin nga Strumica.
Doriev dhe Shkëndija kanë firmosur kontratë tre vjeçare dhe pas testeve mjekësore, lojtari i Maqedonisë së Veriut menjëherë bashkohet me kuqezinjtë në seancat stërvitore. “Është hera e parë në karrierë që marr këtë hap për të dalë të luaj jashtë Strumicës.
Këtu në Maqedoni për mua Shkëndija është klubi më i mirë. Të firmos me këtë klub është hap i madh për mua dhe jetën time. Vij këtu në Shkëndijë për të triumfuar, për të fituar trofe dhe për të shijuar suksese në Europë “, u shpreh Doriev në prononcimin e tij të parë si futbollist i Shkëndijës.
Ljupço Doriev ka nisur karrierën te Horizont Turnova, për të kaluar më pas në radhët e Akademia Pandev, ku zhvilloi tre sezone shumë pozitive, të fundit edhe si kapiten i skuadrës. Në sezonin garues 2018/2019 regjistroi 16 gola në kampionat dhe si rezultat i paraqitjeve të shkëlqyeshme u bë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. /abcnews.al