Shkëndija e Tetovës është shumë pranë titullit kampion në Maqedoni. Ekipi I shqiptarëve e tregoi dominimin e tij me fitoren në Shkup ndaj rivalit më të fortë të këtij viti
Nuk ka pasur kurrë një sezon si ky.
Shqiptarët janë dominues të plotë të futbollit në Maqedoni për 2017-2018, dhe sundimi ka vetëm një emër, Shkëndinë e Tetovës.
Klubi i shquar si mbrojtës i identitetit kuqezi në shtetin e qeverisur kryesisht nga sllavët, është tani fare pranë titullit kampion, të dytit në histori.
Fitorja në fushën e kampiones në fuqi, Vardarit të Shkupit, ishte mënyra më e mirë për të treguar forcën e ekipit më të mirë të Maqedonisë.
Tetovarët ia dolën 3-2 duke u ngjitur në kuotën e 78 pikëve, plot 23 më shumë sesa shkupjanët, ndërsa u mjafton të fitojnë edhe vetëm 1 pikë në 8 ndeshjet e mbetura.
Shkëndija po ashtu ka shënuar gati dyfishin e golave të rivalëve kryesorë, 80 ndaj 44.
Skuadra e trajnerit Qatip Osmani, që pati një ecuri të shkëlqyer edhe në Ligën e Europës, triumfoi në stadiumin e Vardarit me golat e shënuar dy herë nga Besart Ibraimi dhe një herë nga Visar Musliu.
Vendasit arritën fillimisht të barazonin, pastaj edhe të kalonin në avantazh 2-1, por nuk u mbajtën dot deri në fund.
Epërsia e skuadrës me fanelat kuqezi bëhet më e plotë kur kujton se ajo ka arritur edhe finalen e Kupës së Maqedonisë. /abcnews.al