Byroja Federale e Hetimit e Shteteve të Bashkuara (FBI) po heton një ndërhyrje masive që ndodhi të mërkurën në Twitter, kur u keqpërdorën llogaritë e personazheve publike për të vjedhur rreth 100’000 dollarë në Bitcoin, thuhet në një deklaratë të FBI-së të enjten.
“FBI-ja po heton incidentin e 15 korrikut 2020 me disa llogari në Twitter që u përkasin individëve të profilit të lartë.
Guvernatori i New York Andrew Cuomo tha në një deklaratë të enjten se Departamenti i Shërbimeve Financiare i këtij shteti do të zhvillojë gjithashtu një “hetim të plotë për këtë ndërhyrje masive”.
Të mërkurën, hakerat sulmuan llogaritë e personave të famshëm dhe politikanëve, përfshirë Jeff Bezos, Joe Biden, Kim Kardashian dhe Barack Obama, me mesazhe në Twitter që premtuan tu dërgojnë përdoruesve dyfishin e parave që ata paguan në një adresë anonime Bitcoin. Hakerat morën mbi 100’000 dollarë në kripto-monedha gjatë këtij sulmi, sipas të dhënave publike të Bitcoin-it.
Twitter e quajti ndërhyrjen një sulm të koordinuar të hakerëve që “sulmuan me sukses disa prej punonjësve tanë me qasje në sisteme dhe mjete të brendshme”.
Një përjashtim i dukshëm nga sulmi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, llogaritë e verifikuara personale dhe presidenciale të të cilit nuk u ndikuan të mërkurën, konfirmoi në një konferencë shtypi të enjten Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany. Ajo tha se Presidenti Trump do të qëndrojë në Twitter pavarësisht sulmit.
Në një seri mesazhesh, kompania Twitter tha se kishte ndërmarrë hapa për të kufizuar qasjen në sistemet dhe mjetet e brendshme ndërsa hetimi vazhdon. Twitter mbylli të gjitha llogaritë e verifikuara pasi u përhap lajmi, duke ua ndaluar kështu nisjen e mesazheve dhe rikrijimin e fjalëkalimeve. Kompania gjithashtu hoqi tweet-et e rreme nga llogaritë dyshuese./abcnews.al