Vllaznia në hall: Apeli i pamëshirshëm, vendos për Renato Malotën

schedule14:58 - 16 Korrik, 2020

schedule 14:58 - 16 Korrik, 2020

FSHF vijon me fjalëkryqet e veta në publikimin Vendimeve të Komisionit të Apelit. Shkurtimisht, përmes faqes zyrtare ka dalë me një njoftim ku thuhet që Apeli lë në fuqi vendimit Nr. 33, datë 07.07.2020 (pika 2) të Komisionit të Disiplinës si dhe “Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër”.

Në vendimin e datës 7 korrik, Disiplina kishte vendosur të dënonte mbrojtësin e Vllaznisë, Renato Malota:  “Lojtari i KF Vllaznia, Renato Malota, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik”.

Lezhjani u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Luftëtarin dhe me dënimin që mori pas asaj ndeshjeje e ka mbyllur sezonin, nëse nuk vendos ta shlyejë gjysmën e dënimit me gjobë. Dy milion lek duhet të paguajë Malota, që të mund të ndihmojë Vllazninë në dy ndeshjet e fundit të kampionatit.

Shpresa ishte në përgjysmimin e dënimit nga Komisioni i Apelit dhe me shumë mundësi një ndeshje pezullim do e shlyente me gjobë, për të qenë në fushë në fundjavë kundër Kukësit. Tani Dedja duhet t’i bëjë llogaritë për mbrojtësin. /abcnews.al