Myrto Uzuni do të ndërrojë ekip dhe siç konfirmojnë shumë portale hungareze, sulmuesi kuqezi do të transferohet te kampionët e Ferencvaros. Lokomotiva e Zagrebit do të përfitojë 1.8 milion euro nga ky transferim, ndërsa ekipi i Laçit, 360 mijë euro, pasi kishte një klauzolë 20% në rast shitje.
Vetë Uzuni, ka firmosur një kontratë 4-vjeçare dhe do të përfitojë plot 1.2 milion euro, me 300 mijë euro në sezon. 25-vjeçari ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në Kroaci që nga transferimi i tij te Lokomotiva e Zagrebit.
Për Uzunin, interesim pati dhe nga Spanja, me Getafen dhe Mallorcan që kërkonin firmën e tij. Por sulmuesi kuqezi ka zgjedhur Ferencvaros dhe do të vazhdojë karrierën e tij në Hungari. Te Lokomotiva, Uzuni ka luajtur 59 ndeshje në kampionat, duke shënuar 16 gola. Ndërsa në Kupën e Kroacisë, ka luajtur 7 sfida, duke shënuar 4 gola./abcnews.al