Plagosen kreu i Ujësjellësit dhe i biri, policia arreston autorin dhe jep detajet

schedule16:36 - 14 Korrik, 2020

schedule 16:36 - 14 Korrik, 2020

Të shtëna me armë zjarri raportohen të kenë ndodhur në Shkodër këtë pasdite.

Abcnews.al mëson se nga të shtënat ka mbetur i plagosur drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve, Mark Molla dhe djali i tij Kristian Molla. Ngjarja ka ndodhur pranë stacionit të Trenit, ndërsa drejtori dhe djali janë qëlluar në derën e shtëpisë, pas një konflikti.

Policia njofton se është arrestuar autori i ngjarjes, Mhill Pllumbaj, 43 vjeç. Abcnews.al mëson se autori dhe të plagosurit janë fqinj me njëri-tjetrit. Shkak i ngjarjes që degradoi në përdorimin e armëve është bërë konflikti për një parkim.

Gjatë arrestimit, policia i ka sekuestruar autorit edhe armën me të cilën dyshohet se qëlloi drejtorin dhe të birin.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me armë zjarri pas një konflikti të çastit, Drejtorin e Ujësjellësit në Bashkinë Shkodër dhe djalin e tij, kapet dhe prangoset në kohë rekord autori, falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të Policisë.

Rreth orës 16:00, në lagjen “Mark Lula”, në Shkodër, shtetasi M. P., para banesës së tij, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin M. M, me detyrë Drejtor i Ujësjellësit në Bashkinë Shkodër dhe djalin e tij K. M., i ka plagosur të dy me armë zjarri pistoletë.

Shtetasi M. M. dhe djali i tij K. M. janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shkodrës dhe strukturat e DVP Shkodër, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendngjarje, duke bërë rrethimin e zonës dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit, shtetasit M. P, 43 vjeç, të cilit në momentin e kapjes shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan edhe armën me të cilën ky shtetas plagosi shtetasit M. M. dhe K. M.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!