Kryetari i transportit urban qytetas Rixhin Qoshja në një intervistë për “ABC News” tha se nuk është marrë asnjë vendim nga ana Shoqata e Transportit Urban.
Ai theksoi se ndodhen në një pikë kritike dhe nëse nuk do të ketë asnjë reagim nga institucionet atëherë mund të shkohet drejt një mbyllje.
Ai sqaroi se për shkak të vështirësitë dhe kushteve aktuale nga situata e pandemisë shoqatat e transportit urban nuk do ta përballojnë shumë gjatë këtë situatë.
“Nuk ka më vend për bashkëbisedime në kërkojmë reagim nga qeveria. Po ashtu edhe nga Bashkia e cila ka dhënë premtimin se do të jenë në krah nesh në plotësimin e këtyre kërkesave”, u shpreh ai.
Sa i përket vendimit për heqjen e licencës që pak kohë më para e paralajmëroi kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ai theksoi se ndodhen përballë një falimentimi.
“Jemi para faktit që ose hiqet licenca ose falimentojnë operatorët, për frikë nuk flitet më. Ne shpresojmë ta vazhdojmë këtë shërbim sepse është i rëndësishëm për qytetin”, u shpreh ai.
Sakaq ai shtoi se gjatë gjithë ditës nuk kalohet 30% e kapacitetin që dikur transportonin.
“Kërkesat tona nuk kanë ndryshuar. Vetëm paga e punonjësve është kërkesë e shtuar. Nëse do të ketë vendim për rimbillje patjetër që do të ketë një njoftim nga ana jonë”, tha ndër të tjera ai.