Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Vershinin, tha të hënën se ndryshimi i statusit të objektit të Shën Sofisë nga muze në xhami është çështje e brendshme e Turqisë. Vershinin tha në një intervistë për Radio Sputnik se Rusia mendon se askush nuk duhet të ndërhyjë në këtë vendim.
“Po flasim për çështje të brendshme të Turqisë, në të cilat, natyrisht, as ne as dikush tjetër nuk duhet të ndërhyjë. Njëkohësisht, ne i kushtojmë vëmendje rëndësisë së saj si objekt i kulturës dhe civilizimit botëror”, tha ai.
Të premten, një gjykatë e lartë turke anuloi një vendim të vitit 1934, me të cilin Shën Sofia ishte shndërruar në muze. Ky vendim, i marrë nga Këshilli Shetetëror, e hapi rrugën për përdorimin e objektit të lashtë si xhami pas 85 vitesh.
Shën Sofia është përdorur si kishë për disa shekuj, në kohën e Perandorisë Bizantine. Ajo ishte shndërruar në xhami gjatë pushtimit të Stambollit 1453.
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se objekti i famshëm do të mund të përdoret për rite fetare duke filluar nga 24 korriku./abcnews.al