Hungaria ka vendosur masa të reja kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Duke filluar nga dita e mërkurë, hungarezët që kthehen nga vendet e listës së verdhë dhe listës së kuqe të pandemisë do të jenë të detyruar të bëjnë kontrolle dhe të qëndrojnë në karantinë për dy javë, edhe nëse nuk janë të infektuar. I vetmi përjashtim do të bëhet për ata që dalin dy herë negativë në testin për koronavirus gjatë pesë ditëve të kaluara.
‘The Guardian” shkruan se të huajt që vijnë nga shtetet e vendosura në listën e kuqe, ku bëjnë pjesë edhe Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, nuk do të kenë të drejtë të hyjnë në territorin e Hungarisë, ndërsa të huajt që vijnë nga vendet e listës së verdhe do të përballen me të njëjtat kushte si hungarezët
Ndërkohë Serbia, Bullgaria, Rumania, Portugalia, Rusia, Suedia dhe Britania e Madhe janë vendosur në listën e verdhë, ndërsa udhëtimi nga Kroacia, që është destinacion i popullarizuar për pushime për hungarezët, për momentin do të mund të zhvillohet pa kufizime.
Gjithsesi lista do të përditësohet rregullisht. Nga këto kufizime do të jenë të përjashtuar personat që udhëtojnë tranzit, ata që transportojnë mallra dhe ata që udhëtojnë për qëllime biznesi. Hungaria ka regjistruar 4,234 persona të infektuar me Covid-19 dhe 595 viktima që nga fillimi i pandemisë. /abcnews.al/