Real Madrid pagoi 100 milion euro verën e kaluar te Chelsea dhe Eden Hazard e ktheu në realitet ëndrrën e tij për të luajtur në “Santiago Bernabeu”. Pritshmëritë ndaj yllit belg ishin dhe mbeten të mëdha, por problemet fizike nuk e kanë lënë të qetë.
29-vjeçari numëron 19 ndeshje të luajtura mes kampionatit dhe Champions League, dhe ka shënuar vetëm një gol. Një dëmtim në kavilje e la për një kohë të gjatë jashtë dhe vetëm në duelin e 28 qershorit kundër Espanyol u rikthye në fushë.
Cadena Ser raporton se Hazard ndjen sërish dhimbje. Fantazisti ka munguar në dy duelet e fundit kundër Getafe dhe Athletic Bilbao. Shkaku është kavilja, që ka filluar t’i krijojë sërish probleme. Drejtuesit e klubit janë të shqetësuar, por nuk duan të nxitohen.
Fitimi i kampionatit është afër dhe Zidane shpreson ta ketë të gatshëm lojtarin për duelin kundër Manchester City në Champions League. Sfida e parë e raundit të 1/8 e zhvilluar në Spanjë, u mbyll 1-2 për ekipin e Guardiolës dhe “Los Blancos” do të bëjnë të pamundurën për ta përmbysur këtë rezultat në Angli (7 gusht, ora 21:00). /abcnews.al