Manchester City reagon menjëherë, pas humbjes së pësuar me Southamton në transfertë. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola çmontoi Newcastle United me shifrat 5-0 dhe normalisht mbetet në vendin e dytë, në pritje të lajmeve të mira nga CAS për pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm.
City e nisi mirë ndeshjen, duke realizuar dy gola të lehtë, identikë. Gabriel Jesus dhe Mahrez nuk falën nga brenda zonës dhe e çuan skuadrën e tyre në pushim me avantazhin e dy golave. Fernandez në pjesën e dytë i bëri një dhuratë “Qytetarëve”, duke shënuar në portën e tij.
Skuadra e Pep Guardiola nuk u mjaftua me kaq dhe radhën për të shënuar e pati fillimisht David Silva dhe në minutat shtesë i zakonshmi Sterling. Spanjolli shënoi një gol të bukur me goditje dënimi dhe më pas mendoi edhe të asistonte për shokun e skuadrës, që vulosi rezultatin 5-0 në favor të City.
West Ham United u mposht në shtëpi nga Burnley me rezultatin 0-1 dhe situata e “Çekiçëve” përkeqësohet, duke vënë në rrezik qëndrimin në Premier League. Interesante gara për Europën, pasi Sheffield ka mposhtur 2-1 Wolves dhe zbret Arsenalin në vendin e tetë, jashtë zonës “euro”. /abcnews.al