Bylisi-Tirana me shumë mundësi do të përfundojë në Komisionin e Etikës dhe nuk është se ka shpresa ndokush që të zbardhet e vërteta, edhe pse koeficientet dhe sjella e futbollistëve në fushë i tregon të gjitha. Skënderbeu e ka pësuar nga UEFA për të njëjtën gjë dhe pa prova konkrete.
Gjithsesi në Shqipëri gjërat funksionojnë ndryshe, madje as Prokuroria nuk ka gjetur prova kur është angazhuar në çështje të tilla që kanë të bëjnë me falsifikimin e rezultateve të ndeshjeve të futbollit me qëllim përfitimin e parave. Ajo që ndodhi në Bylisi-Tirana është komentuar gjerë e gjatë dhe një qëndrim e ka edhe Sindikatat e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë.
“Sindikata e Futbollisteve Profesionistë Shqiptare, në statutin e saj ka parashikuar të përkrahë dhe mbështesë̈ futbollin e ndershëm dhe korrekt. Por sot në mediat sportive, nga shumë aktorë të futbollit, gazetarë, presidentë, shoqata tifozësh etj, janë ngritur dyshime për paracaktim të rezultatit sportiv të ndeshjes Bylis-Tirana.
Sindikata nuk ka asnjë të drejtë për të bërë komente mbi këtë ndeshje, pasi është detyrë e Komisionit të Etikës t’i japë përgjigje çdo dyshimi të ngritur. Por nisur nga ky fakt, si dhe aludimet e shpeshta për ndeshjet e Kategorisë së Parë, Sindikata i bën thirrje të gjithë futbollistëve që të jenë seriozë në punën e tyre, duke respektuar fanellën që mbajnë veshur, tifozët që i përkrahin dhe mbi të gjitha djersën dhe sakrificat e tyre.
Rezultatet që vijnë nga lufta e fortë sportive në fushën e lojës janë ato qe i japin jetë pasionit tonë për futbollin. Çdo rezultat i vendosur nga xhaketat e zeza në fushën e lojës, sipas urdhrave të kostumeve të zinj në shkallet e stadiumeve nuk duhet të ketë lidhje me ne.
Futbollistet, megjithëse ndodhen në situatë mjaft të vështirë, nuk duhet të bëhen bashkëfajtorë në këto komedi që luhen me futbollin. Sindikata do të jetë gjithmonë në mbështetje të të gjithë futbollistëve, të cilën karrierën e tyre sportive ta mbështetin te futbolli FairPlay”, shkruhet në deklaratën e SFPSH. /abcnews.al