Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla është shprehur kundër vendimit të RTSH-së për blerjen e ndeshjeve të Champions League. Balla tha se nuk është dakord që televizioni publik të blejë ndeshjet e kategorisë së tretë me një vlerë 1.8 milionë Euro.
Për deputetin e PS, këto para duhet të ishin përdorur për të fuqizuar sinjalin, pasi ndeshjet e futbollit janë luks.
“Nuk e di pse duhet të harxhojë 1.8 milionë Euro televizoni publik që të blejë Champions League, ndeshjet janë në sektorin e luksit. Qytetarët mund të jetojnë pa parë ndeshjet e Champions League, por them se do jetonin edhe më parë pa i parë.
Këto para mund t’i kishit përdorur për të blerë pajisje për të fuqizuar sinjalin e transmetimit. Nuk e kuptoj si mund të shpenzohen kaq shumë para për të blerë ndeshjet”, u shpreh ndër të tjera Balla.
Në fund ai kërkoi dhe anulimin e kontratës, pasi nuk i bën nder televizionit publik.
“Nga banorët kemi pafund ankesa. 1.8 mln euro për Champions Leaguen nuk janë shpenzim që i bëjnë nder TVSH. Asnjë televizion publik shtetëror nuk harxhon para për këtë. I bëj thirrje TVSH të anulojë këtë kontratë që nuk i bën nder askujt, është shpenzim i kot”. /abcnews.al