Eksperti amerikan: Përhapja e koronavirusit mund të përkeqësohet, s’ka garanci për vaksinën

schedule10:09 - 1 Korrik, 2020

schedule 10:09 - 1 Korrik, 2020

Eksperti më i lartë i qeverisë së SHBA për sëmundjet infektive tha se vendi nuk mund t’i mbajë shpresat te krijimi i vaksinës, sado e sigurt dhe efektive të jetë ajo.

Dr. Anthony Fauci paralajmëroi se rritja e përditshme e rasteve mund të dyfishohet, nëse amerikanët nuk ndërmarrin hapa për  të mbajtur nën kontroll virusin.

Kalifornia, Teksasi dhe shumë shtete të tjera kanë raportuar një rritje të rasteve të reja, duke çuar në një rivlerësim të përpjekjeve të SHBA për të frenuar pandeminë.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kemi vaksina të efektive dhe të disponueshme për të gjithë,” tha Dr Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve infektive, para një komisioni të Senatit të SHBA.

Dhjetëra vaksina janë duke u zhvilluar dhe testuar me një shpejtësi të madhe, si kurrë më parë. Por Dr. Fauci paralajmëroi se “nuk ka garanci se do të kemi një vaksinë të sigurt dhe efektive”. Fauci gjjithashtu paralajmëroi se shtimi i rasteve të reja në Shtetet e Bashkuara, aktualisht në rreth 40,000 në ditë,  mund të arrijë 100,000 në ditë, nëse njerëzit nuk respektojnë udhëzimet për distancimin social dhe nuk përdorin maska.

“Jam shumë i shqetësuar sepse situata  mund të bëhet shumë më keq,” tha ai.

Komentet e tij vijnë paralelisht me paralajmërimet e zyrtarëve të tjerë shëndetësorë se disa amerikanë, veçanërisht të rinjtë nuk po respektojnë më masat.

Shumë shtete ku infeksionet po shtohen, janë ato të cilat e filluan rihapjen e bizneseve pa përmbushur kriteret shëndetësore të qeverisë.

Ekzistojnë shqetësime se rritja e numrit të rasteve mund të rritet sidomos gjatë kësaj jave deri në 4 korrik me rastin e festimeve për Ditën e Pavarësisë, kur amerikanët tradicionalisht dynden nëpër plazhe apo piknikë si dhe mblidhen për të parë fishekzjarret.

Më shumë se 126,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19 dhe miliona kanë humbur punën. Ekonomia pësoi rënie në tremujorin e parë dhe pritet të shënojë përsëri rënie edhe më të thellë gjatë tremujorit prill-qershor.

Rastet me COVID-19 janë dyfishuar gjatë qershorit në të paktën 10 shtete të SHBA, përfshirë Teksasin dhe Floridën. Los Angelos,  qyteti i dytë më i madh amerikan, është bërë tashmë  epiqendra e re e pandemisë./abcnews.al