Presidenti amerikan Donald Trump, ka miratuar një plan për tërheqjen e 9.500 trupave amerikane nga Gjermania. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman.
Hoffman njoftoi se plani mundëson “frenimin e ndikimit rus, forcimin e NATO-s, sigurimin e Aleatëve, fleksibilitetin strategjik të SHBA-ve dhe të Komandës Evropiane të SHBA-ve, si dhe ofron përkujdesje për anëtarët e shërbimit tonë dhe familjet e tyre”.
Ky vendimi parashikon uljen e nivelit aktual të trupave amerikane në Gjermani. Nga rreth 34.500 që janë do të ulen në 25,000. Hoffman nuk dha detaje se kur do të ndodhë tërheqja e trupave ndërsa nuk sqaroi po ashtu nëse do të zhvendosen në një vend tjetër të NATO-s.
Sipas zyrtarëve të Pentagonit, disa prej trupave mund të dërgohen në vendet e Evropës Lindore si një lloj mesazhi ndaj Moskës.
Trump tha në fillim të këtij muaji se do të shkurtonte numrin e trupave në Gjermani ndërsa përsëriti ankesat se Berlini nuk po shpenzon sa duhet për mbrojtjen e vet dhe se i trajton Shtetet e Bashkuara “keq” në tregti. /abcnews.al/