Akuzat e Hagës, Hashim Thaçi: Gabime mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë

schedule20:12 - 29 Qershor, 2020

schedule 20:12 - 29 Qershor, 2020

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u është drejtuar sot qytetarëve publikisht pas ngritjes së akuzës nga Haga për krime lufte.

Thaçi mes të tjerash foli për gjendjen e tij emocionale nga momenti kur mori këtë lajm, ndërsa thekson se mund të ketë bërë gabime, por jo krime lufte.

“Gabime mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha mbrapa do të bëja të njëjtën gjë.  Një gjë më lejoni ta bëj të qartë. Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave”, u shpreh Thaçi.

Më tej, kreu i shtetit është shprehur se drejtësia ndërkombëtare ka treguar në këto vite që është me dy standarde në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Pjesë nga deklarata e Hashim Thaçit:

Ju drejtohem sonte nga kjo zyrë ku prej 1542 ditësh kam nderin e jashtëzakonshëm të ushtrimit të detyrës së lartë të Presidentit të shtetit tonë, Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike!

Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer. Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar.

Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë.

Eshtë i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim. E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja.

Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike.

Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar. Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën.

Politika i ka edhe këto. Është e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua më janë kujtuar ata që dhanë jetën për vendin. Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugëtimit kur isha një djalë idealist dhe deri sot kur jam me thinja të bardha. Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit dhe familje, djalin tim Endritin që sot është bërë burrë.

E kam kuptuar shumë herët se ne luftëtarët do të paguanim një çmim të madh njerizo, ky është çmimi për lirinë e Kosovës. Duhet të zbardhet çdo pretendim dhe akuzë për krime luftë. Bashkëluftëtarët e mi  i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës. E njëjtë do të jetë edhe me mua dhe vëllain tim nga gjaku i luftës Kadri Veseli.

Gabime mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha mbrapa do të bëja të njëjtën gjë.  Një gjë më lejoni ta bëj të qartë. Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave. Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot kur po përballem me një gjykatë. Në atë kohë kishim përballë vetëm dy rrugë, njëra që i kam besuar tërë jetës ecjen para me BE dhe kjo çështje t’i lihet në dorë Kombeve të Bashkuara.

Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës. Sot kush thotë që jam bërë pengesë e kësaj gjykate është tendencioz. Dikush duhet të bëjë bilancin e këtyre 20 viteve hetime. Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja që drejtësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta me hetimet për Serbinë dhe Kosovën. Fatkeqësisht nuk e shoh këtë.

Dhe ja ku jemi sot.

Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë!

Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës. Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve.

Padyshim edhe ne kemi gabimet dhe përgjegjësitë tona. Unë i pari dhe bashkë me mua krejt udhëheqësit e partive politike në Kosovë, që prej disa vitesh nuk kemi arritur ta ruajmë kohezionin politik.

Por asnjë faj a gabim i yni apo i imi, nuk e justifikon faktin që Kosova qe 21 vjet vazhdon me proceset e ballafaqimit me krime lufte në hapësirën e saj. E në anën tjetër në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!