Shuhet Besim Zekthi, “Shqiponja” e valleve shqiptare: Artisti realizoi 200 valle si solist

schedule20:40 - 28 Qershor, 2020

schedule 20:40 - 28 Qershor, 2020

Për 5 dekada mbeti unik me forcën, elegancën dhe peshën e kërcimit të tij në skenë.

Besim Zekthi, mjeshtri i valles popullore la vulën e tij të pashlyer në skenën dhe arkivin e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” – Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist.

Ai realizoi qindra figura artistike, të cilat janë të fiksuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij.

Por gjatë karrierës së tij artistike Besim Zekthi  ka shkëlqyer veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria”.

Zekthi shkëlqeu si solist i valles në skenën shqiptare dhe në festivale ndërkombëtare.

Ai ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.

Por artisti nuk u kursye as si koreograf, dhe disa prej krijimeve të tij janë pjesë e patjetërsueshme e repertorit të Ansamblit të këngëve dhe valleve Popullore.

Për kontributin e tij artistik, në më shumë se 50 vjet në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore Zekthi u dekorua në vitin 2017 nga Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”. /abcnews.al