Shkëndija e Tetovës ka nisur punën me merkaton, por ende nuk ka një komunikatë zyrtare në lidhje me të ardhmen e trajnerit Ernest Gjoka. Tekniku nga Tirana është nën kontratë me kuqezinjtë deri më 30 qershor, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë zëra merkatoje nga Maqedonia e Veriut.
Jeton Beqiri dhe Ilir Daja janë përfolur si kandidatë për të marrë drejtimin e Shkëndijës. Gjithsesi më parë klubi nga Tetova duhet të sqarojë pozicionin e Gjokës. Vetë trajneri, në një komunikim të shkurtër me Abcnews.al, ka deklaruar: “Të hënën do flas me drejtuesit e Shkëndijës”.
Pra java tjetër nis me të reja për Gjokën dhe Shkëndijën, që mund të ndajnë rrugët, ose të vazhdojnë bashkëpunimin. Kuqezinjtë ia besuan stolin trajnerit shqiptar në muajin tetor. Objektivi ishte titulli kampion, që nuk u realizua.
Kampionati në Maqedoninë e Veriut u ndërpre para kohe, për shkak të situatës së vështirë të krijuar prej Koronavirusit. Shkëndija në ato momente ndodhej në vendin e tretë, 9 pikë larg Vardarit të vendit të parë. Tashmë te Shkëndija duhet të mendojnë për të ardhmen dhe një vendim për trajnerin i hap udhë vazhdimësisë. /abcnews.al