Vojisllav Sheshel, i njohur për deklaratat e tij të forta, kësaj here ka akuzuar NATO-n, bombardimet e së cilës sipas tij, dhe sot e kësaj dite kanë pasoja shkatërruese në shëndetin e pollsisë në Serbi dhe Kosovë.
Lideri i partisë radikale serbe, Vojoslav Sheshel, gjatë një interviste për televizionin serb HAPPY TV, foli për pasojat e bombardimeve të NATO-s, mbi shëndetin në popullsinë e Serbisë dhe të Kosovës. Ai mori si shembull rastin e prekjes nga kanceri të një ushtari italian që ka shërbyer në rradhët e KFOR në Kosovë.
Sheshel ka dhënë dhe raste të tjera të ushtarëve italianë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë dhe që janë sëmurë nga kanceri duke shtuar se shumë prej tyre kanë vdekur dhe ata që janë gjallë apo dhe familjet e të ndjerëve, kanë hedhur në gjyq autoritetet për dëmshpërblim. Lideri radikal serb u shpreh se në Serbi në 20 vitet e fundit, janë shtuar rastet e kancerit në formën e një epidemie ku mjaft prej të prekurve, janë mosha të reja.
Për Sheshel, NATO nuk e bombardoi Serbinë vetëm me uraniumin të varfëruar, por edhe me lëndë të tjera kimike ende të panjohura. Si shembull Sheshel solli tharjen e drurëve në oborrin e tij në Batajnicë. Të njëjtin rast solli në vëmendje edhe drejtuesi i emisionit “Cirilica” po në Happy TV, Milomir Mariç.
Sheshel tha se në Kosovë kanë lindur shumë foshnja me dy kokë apo me një apo shumë gjymtyrë të deformuar. Ai u shpreh se qeveria e mëparshme ka shkaktuar katastrofë të rëndë ekologjike në Bariç dhe se kimikate nga më të rrezikshmet gjenden në një vend të sigurtë dhe ruhen në mënyrë të fshehtë nga shteti.
Duke iu referuar skenës politike, lideri radikal serb tha se Serbia ka përballë disa fuqi armike dhe këto janë SHBA dhe BE. Ai tha se kishte jetuar 12 vjet në Bashkimin Europian dhe nuk kishte parë asgjë të bukur përveç disa rojeve të burgut./abcnews.al